1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Greqi?

1 Shkurt 2023

A do të çojë skandali i përgjimeve në ndryshimin e qeverisë në Athinë? Opozita shpreson, por qeveria e ka mbijetuar deri tani.

Parlamenti në Athinë - pas një seance maratonë qeveria Mitsotakis i mbijetoi mocionit
Parlamenti në Athinë - pas një seance maratonë qeveria Mitsotakis i mbijetoi mocionitFotografi: Aris Oikonomou/SOOC/AFP

Greqia gjendet në mes të fushatës zgjedhore, megjithëse ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve parlamentare. Periudha legjislative përfundon në korrik 2023, por është e mundur të ketë zgjedhje të parakohshme më 9 prill. Dy gjëra janë tashmë të sigurta: Së pari, publiku nuk do të marrë asnjë përgjigje për pyetjet e hapura për skandalin e përgjimeve, që po përhapet gjithnjë e më shumë. Dhe së dyti, fushata zgjedhore ka të ngjarë të kthehet në një përleshje mes konservatorëve në pushtet partisë Nea Dimokratia dhe aleancës së krahut të majtë Syriza.

Kjo u bë e qartë gjatë një debati tre-ditor në parlamentin grek javën e kaluar. Debati u shkaktua pas një mocioni mosbesimi nga kreu i opozitës Alexis Tsipras të mërkurën (25 janar 2023). Shkak për këtë është bërë një raportim i autoritetit për mbrojtjen e të dhënave (ADAE) për skandalin e përgjimeve që ka pushtuar Greqinë prej muajsh.

Agjencia konfirmoi se shërbimi sekret EYP kishte përgjuar Ministrin e Punës, Kostas Chatzidakis dhe pesë zyrtarë të lartë ushtarakë, përfshirë shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Greke, Konstantinos Floros. Muaj më parë ishte bërë e ditur se eurodeputeti Nikos Androulakis, kryetar i partisë së tretë më të madhe, PASOK, dhe dy gazetarë ishin përgjuar.

"Drejtësia do të sqarojë çështjen”

Kryeministri Mitsotakis në ParlamentFotografi: Petros Giannakouris/AP Photo/picture alliance

Për pyetjen pse ka ndodhur kjo, gjatë debatit deputetët dhe publiku grek nuk morën përgjigje nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Edhe pse nuk e mohoi përgjimin, ai tha se nuk dinte asgjë për këtë. Gjyqësori do ta sqarojë rastin”, tha thjesht Mitsotakis. Ai e përdori debatin për të folur gjatë për gabimet e qeverisë së mëparshme dhe për skandalet në të cilat politikanët e Syriza dyshohet se ishin përfshirë gjatë mandatit të tyre nga 2015 deri në 2019. Ai akuzoi kryetarin e Syriza-s Tsipras se ka nisur një "luftë të ndyrë" politike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Nga ana e tij, Tsipras i bëri thirrje parlamentit të marrë një vendim pro ose kundër demokracisë. Ai akuzoi Mitsotakis për gënjeshtër dhe pyeti se si mund të ndodhte që kryeministri nuk dinte asgjë për skandalin e përgjimeve, edhe pse ai e bëri shërbimin sekret prioritet kryesor kur mori detyrën në 2019.

Mbijetesa politike

Pas debatit, i cili u karakterizua me akuza të rënda dhe polarizim ekstrem, të 156 anëtarët e partisë në pushtet dhe në këtë mënyrë shumica e parlamentit prej 300 anëtarësh i shprehën besimin e tyre kryeministrit Mitsotakis. Edhe ministri Chatzidakis, vetë viktimë e operacionit të përgjimeve, ishte i bindur se kryeministri nuk dinte asgjë.

Lideri i SYRIZA Alexis TsiprasFotografi: Eurokinissi/ANE/picture alliance

Popullsia greke nuk e ndan këtë besim. Sipas sondazhit të fundit nga instituti i sondazheve të Athinës Prorata, pothuajse 70 për qind e qytetarëve besojnë se Mitsotakis dinte për përgjimin. Më shumë se gjysma e të anketuarve e konsiderojnë përgjimin "të gabuar" dhe "të dëmshëm për demokracinë".

Mitsotakis edhe më tej i pari

Në të njëjtën kohë, populli i Greqisë është i bindur se Mitsotakis nuk ka asnjë interes të hetojë aferën e përgjimeve. Sidoqoftë, zemërimi për të është i kufizuar. Pavarësisht përgjimeve, Nea Dimokratia ende kryeson në sondazhe me pesë pikë përqindjeje ose më shumë, sipas sondazheve të fundit. Partia e Mitsotakis mund të marrë midis 30 dhe 33 për qind, por kjo nuk do të mjaftonte për të vazhduar qeverisjen e vetme. Pra, konservatorët do të kenë nevojë për një partner koalicioni.

Ky ka shumë gjasa të jetë PASOK-u socialdemokrat, me të cilin ka qeverisur më parë ND (2012-2015). Por kjo do të presupozonte që kryetari i saj, Androulakis, të falte përgjimin e personit të tij dhe t'i besonte partnerit të tij të mundshëm të koalicionit, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë për momentin.

Edhe Dora Bakogiannis ndër viktimat e përgjimeve?Fotografi: Giannis Panagopoulos/ANE/picture alliance

Skandali i përgjimeve

Në korrik 2022 u bë publike se shërbimi sekret grek EYP kishte përgjuar telefonatat e shefit të PASOK-ut, Androulakis. Mitsotakis, i cili protestoi se nuk dinte asgjë për këtë, e shkarkoi shefin e zyrës dhe nipin e tij Grigoris Dimitriadis, si dhe shefin e tij të inteligjencës Panagiotis Kontoleon, ndoshta me shpresën se çështja do të zgjidhej dhe diskutimi do të zhdukej shpejt nga opinioni publik.

Por Androulakis nuk ishte viktima e vetme. Dy gazetarë u përgjuan gjithashtu: Stavros Malichoudis, i cili kishte bërë shumë hulumtime për çështjet e refugjatëve dhe mbi të gjitha për veprimet e kundërligjshme nga rojet bregdetare greke në Egjeun lindor, dhe reporteri i çështjeve ekonomike, Thanasis Koukakis. Megjithatë, kjo nuk u raportua në shumicën e mediave greke.

Pas kësaj, skandali vazhdoi të përhapet. Mes të përgjuarve ishin edhe pjesëtarë të komandës së forcave të armatosura, ministra dhe gazetarë. Më 29 janar 2023, revista Documento, e cila ka luajtur një rol qendror në publikimin e emrave të viktimave të dyshuara të përgjimeve, publikoi në faqen e parë një lajm interesant: Thuhet se janë përgjiuar edhe motra e Mitsotakisit, Dora Bakogiannis, deputete dhe ish-ministre e Jashtme, djali i saj, Kostas Bakogiannis, kryebashkiaku i Athinës dhe vajza e saj Alexia. Nga familja nuk ka pasur deri tani asnjë mohim të informacioneve.